Android aktivizon 700 mijë pajisje në ditë




Android i Google-s po merr hise gjithnjë e më të madhe në treg, ndërsa duke marrë parasysh numrin e pajisjeve të reja mobile që aktivizohen çdo ditë, kjo hise edhe më shumë do të rritet.
Kështu, Andy Rubin nga Google ka bërë të ditur se brenda një dite, aktivizohen më shumë se 700 mijë pajisje të reja që punojnë në këtë sistem operues dhe kjo ka të bëj vetëm me pajisjet e reja dhe jo me re-set të telefonave të vjetër.
Prapë duhet marrë parasysh se disa përdorues i ndërrojnë telefonat e vjetër Android me të rinj, kështu që numri i përdoruesve të rinj të Android-it, nuk është aq i madh, por prapë këto shifra janë impresive.
Përndryshe, para vetëm një viti, nga Google kishin bërë të ditur se aktivizimi ditor i pajisjeve Android, është 200 mijë, ndërsa në qershor të këtij viti kjo shifër kishte arritur në 500 mijë, ndërsa nëse ky temp vazhdon kështu, gjatë vitit 2012 kjo shifër do ta tejkalojë 1 milionëshin.