Rekord i ri në transferim të të dhënave

Hulumtuesit kanë realizuar shpejtësi transferimi prej 186 gigabitësh në sekondë, me çka kanë hapur rrugën për krijimin e rrjeteve me shpejtësi standarde prej 100 gigabitësh në sekondë, që do të përshpejtonte dukshëm hulumtimet shkencore.

Rekordi i ri është baras me bartjen e të dhënave nga 1000 disqe DVD për një sekondë ose 100.000 blu-ray disqe për një ditë, përcjell BBC.

Gjatë testit, të dhënat janë këmbyer mes Universitetit Victoria nga Kolumbia Britanike dhe qendra shtetërore për konventa Washington në Seattle, të cilat janë 212 kilometra larg njëra-tjetrës.

Hulumtuesit kanë realizuar shpejtësinë prej 186 gigabitësh në sekondë në të dy drejtimet, me çka kanë thyer rekordin e tyre të mëparshëm prej 119 gigabitësh në sekondë nga viti 2009. Sa për krahasim, rrjetet e kabllove optike tani për tani arrijnë shpejtësinë më të madhe të bartjes së të dhënave prej një gigabiti në sekondë.

Rekordi i ri është arritur duke shfrytëzuar pajisjet më të reja optike, serverët me performansa të konfiguruara në maksimum dhe rrjetet të cilat i ka vendosur kompania kanadeze CANARIE.

Në eksperiment kanë marrë pjesë fizikanët, shkencëtarët kompjuterikë dhe inxhinierët e rrjeteve. Ekspertët, sa për të ilustruar mundësitë e këtij sistemi, kanë kryer transferimin e një sasie enorme të të dhënave nga qendra në Seattle dhe një lokacion në Brazil dhe Kore Jugore.

Kjo arritje teknike do të mund të jetë shumë e dobishme në realizimin e projekteve të mëdha shkencore, si eksperimentet e CERN me LHC-në./koha/kekompjuter/