Facebook duhet të mbrojë privatësinë e përdoruesve


Rrjeti social Facebook duhet shumë më mirë të ruajë privatësinë e përdoruesve të tij dhe të pajtohet në kontrollet e vazhdueshme të komisionit të pavarur gjatë 20 viteve të ardhshme, është vendim i komisionit për tregti i SHBA-së.
Ky komision me seli në Uashington, e ka vlerësuar të ‘padrejtë dhe mashtruese’ praktikën e Facebook-ut, i cili që nga viti 2009 të dhënat private të përdoruesve të saj i përdor për qëllime publike pa njohurinë dhe pranimin e tyre.
Komisioni federal ka vërtetuar se Facebook në disa raste edhe kompanive të reklamimit, u lejon qasje në të dhënat e përdoruesve si dhe edhe pas fshirjes së profilit, Facebook vazhdon të përdorë të dhënat. Dhe sipas këtij vendimi, Facebook nëse planifikon t’ia dorëzojë të dhënat tuaja ndonjë kompanie reklamimi, duhet së pari t’ju pyes juve.
Pronari i këtij rrjeti Mark Zukerberg, në bllogun e tij ka shkruar se kompania e tij ka bërë disa gabime në fushën e privatësisë, por disa prej tyre tashmë janë rregulluar. Mirëpo, nëse Facebook në të ardhmen shkel këtë vendim, duhet të paguajë gjobën prej 16 mijë dollarëve në ditë për çdo pikë të akuzës./zeri/kekompjuter/